I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin u shpreh se për Gjermaninë vizat nuk janë më çështje. Referuar paralajmërimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, ai theksoi se ky nuk është një opsion dhe do të ishte një gabim i madh sepse vetëm do t’i largonte kosovarët nga procesi i BE-së.
“E para qeveria e Kosovës duhet të mendojë nëse vërtetë po bën mirë dhe aq shumë qeveri në rajon dhe në BE mendojnë se po bën gabim.
Kjo është natyrisht një gjë që i prek qytetarët e Kosovës… Kjo nuk është mirë për qytetarët e Kosovës dhe është problem natyrisht. Sa i përket heqjes së vizave, ju e dini se ka pasur një deklaratë të presidentit Macron.
Dua ta them qartë se kjo nuk është një opsion dhe do të ishte një gabim i madh sepse vetëm do t’i largonte kosovarët nga procesi i BE-së. Dhe e themi se 1 janari 2024 do të bëhet ashtu siç është pajtuar dhe premtuar.
Nëse ne themi se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç duhet t’i përmbushin premtimet sa i përket shtendosjes ne nuk do të bëhemi më të mirë nëse nuk i përmbushim premtimet tona. Kultura e mos përmbushjes së premtimeve dhe të programeve që janë pajtuar është problem në rajon”, tha ai.