Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit, njëkohësisht edhe lojtari i Romës, Marash Kumbulla, në pritje të kthimit në fushë pas atij dëmtimi të rëndë, ka dhënë një intervistë për “Savoir Sport”, duke u fokusuar mbi të gjitha te kombëtarja shqiptare.
Sipas Kumbullës, ekipi shqiptar është një pikë të lartë dhe se ka një shans të mirë për t’u kualifikuar.
Ai nuk i kursen lëvdatat për bashkëlojtarët e tij e në veçanti kur flet për Brojën dhe Asllanin dhe shton se në këtë pikë Shqipëria mund të konkurojë me të gjithë.
Cilat janë shanset për të kaluar në raundin kualifikues?
Kumbulla: Kemi një shans të mirë, kemi filluar shumë mirë. Kemi një ekip të ri, por edhe me djem me përvojë. Shpresoj që bashkëlojtarët e mi ta bëjnë këtë ëndërr realitet.
Keni pasur mundësi të takoni trajnerin e ri? Si ju është dukur?
Kumbulla: E takova gjatë ndeshjes së parë kundër Polonisë, ai më la përshtypje të mirë. Është një trajner karizmatik dhe pozitiv, transmeton besim dhe dëshirë për të konkurruar me të gjithë.
A ka ndonjë nga shokët tuaj të skuadrës që mund të arrijë nivele shumë të larta?
Kumbulla: Asllani dhe Broja janë dy djem të rinj, ka edhe të tjerë, por mendoj se ata të dy kanë një të ardhme të mirë përpara.
Si e shihni të ardhmen e kombëtares shqiptare në planin afatgjatë?
Kumbulla: Ne jemi në një pikë të lartë të historisë sonë, ne mund të konkurojmë me të gjithë. Kjo përzierje e përvojës dhe rinisë do të na lejojë të arrijmë qëllimet tona.