Etnocentrizmi, demokracia, NATO dhe BRICS – vijat e fërkimit mes Kosovës dhe Serbisë që pengojnë fundin e konfliktit në këtë çerek të shekullit XXI e që lehtë mund të kalojnë në çerekun e dytë të këtij shekulli.
Konflikti Kosovë-Serbi është i papërfunduar në shekullin XX dhe tashmë po e konsumon edhe çerekun e shekullit XXI. Në këtë çerek të këtij shekulli janë bërë përpjekje të ndryshme, në masë të madhe të pasuksesshme për ta zgjidhur këtë konflikt. Po sugjeroj që këtë konflikt ta shikojmë prej sfidave kufitare Kosovë-Serbi, por pak më ndryshe, duke marrë të mirëqenë se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është legalisht i përcaktuar që nga fundi i LDB-së dhe ka marrë dimensionin e vet të njohjes ndërkombëtare që nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së e deri te njohja e Pavarësisë së Kosovës nga një numër i madh shtetesh (përfshirë shumicën e vendeve të NATO-s e BE-së). Pra, ndonëse vija kufitare është e mirëqenë, problemi qëndron te sfidat konceptuale që cilësohen nga ajo vijë ndarëse dhe që si të tilla mund të hyjnë në çerekun e dytë të shekullit XXI. Ndonëse lista është më e gjatë, ja katër:
1. Vija ndarëse e serbizmit
Që nga zhbërja e ish-Jugosllavisë, problemi thelbësor konceptual e politikës serbe (e cila ka qenë dhe mbetet etnocentrike) ka qenë përballimi me realitetin se serbët do të jetojnë në shtete të ndryshme. Ani pse paradoksalisht, ishte etnocentrizmi serb që kontribuoi në zhbërjen e ish- Jugosllavisë socialiste, rezultati i asaj ishte ndarja e popullit serb prej të jetuarit në një shtet në të jetuar në shtete të ndryshme, një pjesë e konsiderueshme jashtë Serbisë.
Sfida e serbizmit mes Kosovës dhe Serbisë është më specifike sesa ajo e Kroacisë, për shembull, për shkak të peshës së madhe që ka Kosova për identitetin kombëtar të popullit serb. Duke pasur parasysh këtë peshë specifike, Kosova ka zhvilluar negociata rreth zgjidhjeve që do të mbronin dhe zhvillonin identitetin serb në Kosovë, që nga Marrëveshja e Rambouillet (1999), Paketa Ahtisaari e Vjenës (2005-2007) dhe negociatat në Bruksel (2012 deri më sot).
Ani pse Kosova ka mbase Kushtetutën më të avancuar në Evropë për sa u përket të drejtave minoritare (apo siç e quajmë të komuniteteve joshumicë) ende nuk është përballuar sfida e vijës ndarëse të serbizmit.
Arsyeja madhore pse nuk është përballuar kjo sfidë është bllokimi konceptual mendor në politikën serbe që nuk e njeh Kosovën si shtet partner të barabartë me të cilin do të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore, të bazuara në radhë të parë në kujdesin e përbashkët për qytetarët serbë të Kosovës dhe për ata shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Kjo është tash sfida, të pranuarit e barazisë së ndërsjellë, si pjesë e pranimit të partneritetit.
2. Vija ndarëse e demokracisë
Gjatë këtij çerekshekulli Kosova është ngritur prej një territori të sapodalë nga lufta e nën administrim ndërkombëtar në një shtet me vitalitet demokratik. Ky rrugëtim ka kaluar nëpër shumë vështirësi, përfshirë boshllëkun institucional, përndjekjen e kundërshtarëve politikë dhe minoriteteve dhe një periudhë të gjatë të shtetit të kapur prej simbiozës politike-kriminale. Gjatë këtij çerekshekulli Serbia ka kaluar nëpër rrëzim të një autoritarizmi dhe përpjekjeje për të vendosur stabilitet institucional. Ky stabilitet institucional ka marrë formë të autokracisë, ndonëse një autokracie konsensuale e zgjedhore. Pushteti i tanishëm në Serbi nuk u është imponuar qytetarëve, ata janë pajtuar me të, e një pjesë e madhe ka votuar për të.
Vija ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë në cilësi të demokracisë nuk është vijë kufitare ndërshtetërore, por futet edhe brenda territorit të Kosovës. Qytetarët serbë të Kosovës janë viktimë të përpjekjes që të jenë pjesë e uniformizimit politik nga Beogradi. Qytetarët serbë në katër komunat veriore të Kosovës janë edhe më të viktimizuar; gjatë këtij shekulli këta qytetarë nuk kanë pasur zgjedhje të lira që do ta kalonin testin e demokracisë zgjedhore.
Sfida e vijës ndarëse nuk është avancimi i demokracisë në Serbi; kjo për momentin do të ishte tepër ambicioze. Një hap i parë i madh e i rëndësishëm për këtë vijë ndarëse është që qytetarët serbë të Kosovës, në veçanti ata në pjesën veriore të vendit, të kandidojnë, të zhvillojnë fushatë dhe të votojnë pa frikë e presion.
3. Vija ndarëse e NATO-s
NATO-ja do të qëndrojë në Kosovë derisa Kosova të hyjë në NATO.
Serbia në opinionin vet publik është në shumicë kundër NATO-s dhe politika serbe është konsistente (pos një pakice të vogël) që Serbia të mos hyjë në NATO. NATO-ja është aranzhim i sigurisë që ka siguruar paqen në Evropë, integrimin e shteteve në BE dhe rënien e komunizmit e vendosjen e demokracisë. Alternativa ndaj NATO-s është Rusia dhe lufta e saj kundër Ukrainës.
Në kundrimin gjeostrategjik hapësira prej kufirit të Ukrainës deri në Atlantik është pjesë e NATO-s, e përcaktuar për të apo në partneritet me të (Austri, Zvicër) me përjashtim të Serbisë dhe pjesës së Bosnjë-Hercegovinës të banuar nga serbët.
Në kundrimin taktik politika e Serbisë ndaj NATO-s u pa në komunat veriore të Kosovës kur në maj grupe të organizuara të qytetarëve serbë nga Kosova dhe Serbia sulmuan dhunshëm njësitet e KFOR-it duke lënduar 80 sosh. Për një çerek shekulli pjesa veriore e Kosovës me fërkime të përhershme me NATO-n i ka shërbyer politikës ruse për të treguar se NATO-ja nuk mund të garantojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor pa pëlqimin rus.
Në kundrimin e sigurisë kolektive të regjionit shefi i Shërbimeve Sekrete të Serbisë është i sanksionuar nga SHBA-ja për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me Rusinë (dhe me krimin e organizuar në Serbi e gjetiu, përfshirë në kontrabandë me drogë). Nëse ky person është në krye të Shërbimeve Sekrete (të cilat kanë nam vrasje, destabilizimi fqinjësh dhe brutaliteti ndaj opozitës), sa është i sigurt regjioni?
Sfida është vërtet e vështirë: si të bëhet largimi i Serbisë nga ndikimi i tanishëm apo potencial rus e të krijojë jetë si pjesë e aranzhimeve të sigurisë që do ta shtrijnë NATO-n në Ballkanin Perëndimor, por njëkohësisht duke mbetur Serbia jashtë NATO-s me vetëdëshirë?
4. Vija ndarëse BE-BRICS
Kosova është e përcaktuar për integrim në BE, gati 90 për qind të qytetarëve të saj dhe të gjitha qeveritë e deritanishme janë deklaruar për; të gjitha qeveritë e Kosovës kanë treguar përcaktim identik me atë të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Serbia ka filluar negociatat për anëtarësim në BE, por njëkohësisht nuk e përmbush as në 50 për qind dakordimin e saj me politikat e jashtme dhe të sigurisë. Tash më shumë qytetarë të Serbisë janë kundër anëtarësimit sesa për anëtarësim në BE.
BE-ja nuk është perspektivë e prekshme për Kosovën dhe Serbinë , mes tjerash edhe për shkak të konfliktit të papërfunduar. Këtu gjendet një rreth vicioz: gati 80 për qind e qytetarëve të Serbisë përgjigjen në anketë se nuk do të donin anëtarësim në BE nëse kusht për këtë është njohja e Kosovës. E, pa njohje të Kosovës nuk ka fund të konfliktit.
Ndërkohë, përderisa Kosova është e pozicionuar që të mos ketë alternativë ndaj BE-së, Serbia ka një politikë të jashtme hibride. Është “në rrugë evropiane”, që do të thotë negociata anëtarësimi, marrje fondesh në BE dhe pozitë të volitshme për investime si vend potencial integrimi. Është po ashtu në rrugën e një politike të jashtme të BRICS: mbështetet në Kinë dhe Rusi jo vetëm për çështjen e Kosovës në Këshill të Sigurimit dhe përkrah çdo regjim që për një arsye a tjetër ndeshet me Perëndimin, prej Kubës deri në Iran e Bjellorusi.
Gjatë këtij dhjetëvjetëshi sfida e madhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë është se si kufiri mes Kosovës dhe Serbisë të mos thellohet si kufi mes aspiratave për BE dhe aspiratave për BRICS./ Koha.net