Kryeministri i Kosovës, Kurti i është përgjigjur kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili më herët tha se dorëheqja e kryetarëve aktual shqiptarë në veri është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet e reja në Veri.
Kurti tha nuk mund të detyrohet askush të japë dorëheqje në emër të askujt dhe se rruga demokratike dhe ligjore është udhëzimi administrativ.
“Lista serbe si një degë e partisë në pushtet në Serbi që vepron në Kosovë, më 5 nëntor dha dorëheqje kolektive në komunat në veri të Kosovës dhe këto i bën me qëllim të keq dhe të gabuar. Për gabimin e tyre nuk do të duhej ta paguanin kryetarët aktual që njëmend e kanë legjitimitetin e vakët sepse dalja ka qenë e ulët, mirëpo janë të vetmit që kanë legjitimitet. Nuk mund të detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar udhëzimin administrativ,” tha Kurti.
“Kur ka dhunë duhet të gjejmë strukturat, emrat dhe mbiemrat e përveçëm. Unë s’jam për ta fajësuar kurrë popullsinë, kurrë s’mendoj që dhunën e bëjnë serbët, por e bëjnë strukturat e caktuara, grupe kriminale të lidhura ose drejtpërdrejt ato që i kemi shpallur terroristë,” tha Kurti.
Numri një i qeverisë së Kosovës tha para gazetarëve se në takimin e sotëm në Bruksel, ai ka qenë i vetmi që ka prezantuar dokument të shkruar konkret.
“Sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë veç Republika e Kosovës përmes meje, as pala serbë as Bashkimi Evropian. BE është aty për t’u siguruar që propozimet e palëve janë përbrenda frymës dhe formës së Evropës. Ata nuk bëjnë propozime, ata kujdesen që propozimet e palëve janë të tilla që nuk tejkalojnë kornizën evropiane,” tha kryeministri Kurti.