Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë kundër një shtetasi serb për veprën penale krime lufte.
I dyshuari, sipas Prokurorisë Speciale, ishte pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në kohën kur dyshohet se e kreu krimin në vitin 1998, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
PSK-ja tha se ai, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë me forcë në automjetin e tyre një mjek me inicialet H. Sh., në vitin 1988 në rrugën Drenas-Prishtinë, dhe e “kishin dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë.”
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL