SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla dhe 12 zyrtarë të tjerë.
Alla akuzohet se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas SPAK, Alla ka shfrytëzuar postin e tij dhe ka favorizuar një kompani për të fituar tenderin me vlerë 322 milionë lekë, për ndërtimin e ujësjellësit në Bulqizë.
Rezulton se ish-kryebashkiaku dhe zyrtarët e bashkisë, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Leonard Daçi dhe Erjon Isaku kanë favorizuar Rasim Dacin, i cili është përfituesi “de jure” i tenderit dhe Aqif Konesha, i cili është përfitues “de facto” në tender.
Sipas SPAK, ata kanë krijuar avantazhe për këto dy subjekte si gjatë procedurës së prokurimit duke e shpallur fitues subjektin e Rasim Dacit pa përmbushur kriteret por edhe gjatë fazës së zbatimit sepse punimet janë kryer nga subjekti i Aqif Koneshës qe nuk është shpallur fitues.