Ligjvënësit republikanë akuzuan Departamentin e Drejtësisë për qëndrim të butë në çështjet McGonigal. Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara shprehu shqetësimin për mundësinë e marrëveshjeve me pasoja të zbutura ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal në dy çështjet ndaj tij, si një përpjekje për të fshehur përmasat e shkeljeve të tij, për të mbrojtur reputacionin e FBI-së.
Nga selia blu, zëdhënësja e Sali Berishës deklaroi se “McGonigal u bë çështje në Kongresin e SHBA. PD është e gatshme të japë ndihmesën e saj në zbardhjen e kësaj veprimtarie kriminale” tha Floriana Garo.
“Charlse McGonigal direkt ka ndërhyrë tek Edi Rama për nxjerrjen e licencave të naftës për llogari të kompanive ruse të Deripaskës” tha ajo.
Një tjetër denoncim po nga selia blu kishte Eno Bozdo. Ai akuzoi se Edi Rama i hapi rrugën projektit korruptiv në portin e Durrësit dhe tani kompania gjermane EMS-APO paditi me 40 mln euro Shqipërinë në arbitrazh.
“Ashtu siç ishte paralajmëruar, Kompania gjermane EMS-APO ka paditur Autoritetin Portual, d.m.th. qeverinë shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit në Uashington, për një shumë prej 40 milionë eurosh, për dëmtim me qëllim të aktivitetit të saj tregtar në Portin e Durrësit.
Kjo për arsyen e vetme, të hapjes së rrugës për projektin korruptiv të ndërtimeve në Portin e Durrësit, nga Mohamed Alabbar, mik dhe partner i Edi Ramës, të cilit i është dhuruar nga ana e Kryeministrit aseti më i rëndësishëm strategjik dhe ekonomik i Shqipërisë sot– Porti i Durrësit” tha ai.