Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland u ul ballë për ballë kritikëve të tij më të fortë, teksa republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve shfrytëzuan një seancë dëgjimore për ta marrë atë në pyetje, lidhur me pretendimet se ai po përdor Departamentin e Drejtësisë për qëllime politike.
Kjo shënoi herën e parë në dy vjet që zoti Garland del përpara Komisionit të Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve. Seanca vjen në një moment të pashembullt për Departamentin e Drejtësisë, ndërsa drejton dy çështje të rëndësishme, njërën në ngarkim të ish-Presidentit Donald Trump dhe një tjetër kundër djalit të Presidentit Biden, Hunter Biden.
Republikanët në komision, të drejtuar nga Jim Jordan, njëherësh drejtues i Komisionit të Drejtësisë, ngritën akuza se Departamenti i Drejtësisë po mbron familjen Biden, duke vënë në qendër të hetimeve kundërshtarin e Presidentit Biden, ish-Presidentin Donald Trump.
“Një hetim po mbron presidentin Biden, një tjetër po sulmon Presidentin Trump,” tha zoti Jordan.
Zoti Garland mbrojti Departamentin e Drejtësisë, një agjenci me rreth 115,000 punonjës, në një kohë kur po shtohen kërcënimet politike dhe fizike ndaj agjentëve të këtij institucioni dhe familjarëve të tyre.
“Detyra jonë nuk është të marrim urdhra nga Presidenti, Kongresi, apo ndokush tjetër, se kë apo çfarë duhet të hetojmë,” tha prokurori i përgjithshëm.
Demokratët thanë se kanë në plan të veprojnë si “një lloj skuadre e së vërtetës” kundër “dezinformimit” nga republikanët dhe mbrojtjes nga ana e tyre të zotit Trump, që deri tani udhëheq garën brenda partisë së tij për të sfiduar zotin Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Ata thonë se demokratët po tentojnë të zhvendosin vëmendjen nga sfidat ligjore me të cilat përballet ish-presidenti dhe të vënë në qendër të vëmendjes, Presidentin Biden duke e parë atë nën një dritë negative./VOA
Artikulli i plotë këtu.