Në Shqipëri, industria fason e tekstileve dhe këpucëve, që punon me material porositësi, kryesisht për tregun europian dhe ku punojnë më shumë se 70 mijë punëtorë, po përballet me situatën më të vështirë të 20 viteve të fundit për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës europiane kundrejt lekut shqiptar.
“Është ndër situatat më të vështira ekonomike që po kalon sektori ynë. Një nga arsyet kryesore është zhvlerësimi i euros. Fakti është që ne punojmë 100 për qind për eksport dhe, në këto kushte, shitjet tona janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë. Rënia e euros është rreth 15-20 për qind,” thotë Edi Teli, pronar i ndërmarrjes “Moda Teli”.
Për ekonomistin e njohur Edi Teli, pronar i ndërmarrjes “Moda Teli”, arsyet e zhvlerësimit kaq të madh të euros kundrejt lekut janë, mes të tjerash, ndërtimet e shumta, turizmi, ekonomia joformale, por edhe veprimtaria e jashtëligjshme e drogës.
Ndërsa për Gjergj Leqejzën, administrator i ndërmarrjes “Shqipëria Trikot”, një nga më të mëdhatë e sektorit fason në Shqipëri, që punon për kompaninë e njohur italiane “Cotonella”, humbjet e kësaj ndërmarrje nga zhvlerësimi i euros janë të mëdha.
“Duke marrë për bazë këtë shifër, me një xhiro ekonomike prej 4 deri në 4.5 milion euro në vit, 15 për qind i takon rreth 600 mijë euro në vit humbje e pastër vetëm për efekt të euros në krahasim me lekun”.
Në këto kushte, thotë administratori Leqejza, kompania italiane “Cotonella” po mendon transferimin gradual nga Shqipëria drejt Uzbekistanit, ku, thotë ai, ka politika shumë favorizuese për këtë industri./VOA
Artikulli i plotë këtu.