Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj i ka kërkuar shumicës socialiste nga foltorja e Kuvendit që të heqë dorë nga prapaskenat për të përcaktuar se kush do të jetë opozita e Shqipërisë. Nga debati për vulën në gjyq, tek debati për kryetarin e grupit të PD-së, Gjekmarkaj tha se qeveria duhet t’i japë fund marrëzisë.
“Prej disa ditësh po bëhemi dëshmitarë të një ahengu çapraz ku qeveria dhe pushteti me guxim të marrësh po përpiqen të stërkufizojnë se kush është opozita e këtij vendi, kryetari i grupit, se kush do ta bëjë reformën zgjedhore.
Kjo ndodh duke thyer etikën dhe matematikën. Shpresoj që tek mazhoranca të ndalin marrëzinë. Provokimi ndaj opozitës është provokim ndaj kushtetutës dhe paqes sociale. Natyrisht dikush këtu mund të mendojë, oh sa mirë kjo qenka në dorën tonë. Por ky është iluzion fëminor. Përfaqësimi nuk merret në gjykatë, nuk falet apo emërohet.
Kjo mazhorancë kaq e përfolur, e akuzuar nuk mund ta bëjë këtë. Ne nuk do ta lejojmë. Prej muajsh kam heshtur. Besoj ende që dhuna verbale nuk është shembulli që duhet të japim” tha ai.
Kishte një koment edhe për censusin. “Nuk kam lexuar gjë më të çmendur dhe idiote. Mos e shpërndani një paçavure të tillë se do pataksi qytetarët. Shaka pa kripë nuk ja ka borxh askush. Mos bëni punë për ti çuar lekë dikujt, që sa do fryjë xhepin mendjen e ka më të trashë. Mënyra e perceptimit të censusit është një meme me shumë faqe” tha ai.