Pak para mesnatës së kaluar u raportua për një zjarr të përmasave të medha në një fabrikë bojërash në autostradën Tiranë-Durrës.
Nisur nga kjo situatë, ministria e brendshme apeloi për qytetarët që ta evitonin autostradën në të dyja senset e qarkullimit për shkak të rrezikut që paraqitej.
Qindra forca zjarrfikëse dhe policie u vunë në gatishmëri për të shuar zjarrin dhe kjo u arrit në orët e para të mëngjesit.
Gjatë kohës kur zjarri ishte i pranishëm, në fabrikë mësohet të ketë patur shpërthime të njëpasnjëshme, për shkak të një lënde djegëse që përdoret për përpunimin e bojërave.
Prej kësaj ngjarjeje, kalimi i automjeteve u devijua në rrugë dytësore, pas bllokimit të autostradës nga policia. Në vendngjarje mbrëmjen e djeshme, për të parë situatën më nga afër ishte edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla.