Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka reaguar për zgjedhjet në Kukës. Sipas KQZ, gjithsej ishin 74 qendra votimi për garën e parakohshme mes Albert Halilit nga Partia Socialiste dhe Emri Vatës nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Ky proces i përsëritur zgjedhor, siç është shprehur dhe vetë kreu i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve i ka kushtuar buxhetit të shtetit 25 milionë lekë. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit dhe procesi zgjedhor i kësaj të diele ka qenë i qetë dhe nuk janë regjistruar incidente.
“Pas përfundimit të marrjes në dorëzim të të gjitha kutive të votimit dhe pranimit të tyre të rregullta në masën 100% nga KZAZ Kukës, KQZ Shqipëri i bën thirrje subjekteve zgjedhore që kanë të drejtë të emërojnë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave që të veprojnë pa humbur kohë dhe të vijojnë me detyrimin ligjor të numërimit të votave në mënyrë të pandërprerë.”- shkruan Celibashi.