Rada Trajkoviç, kryetare e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve u shpreh sot se në veri të Kosovës po zhvillohet një “luftë e pamëshirshme” dhe se Beogradi nuk ishte i befasuar nga sulmi i së dielës, por e pa se “aksioni nuk ishte i përgatitur sa duhet dhe se do t’i shkaktonte një goditje të madhe Beogradit”.
“Prandaj kishte heshtje, prandaj të gjithë hoqën dorë nga serbët nga Kosova, fjalë për fjalë i lanë të vetëm”, shprehet Trajkoviç për ngjarjet në veri të Kosovës në fshatin Banjskë.
“Sot kemi tre serbë të vrarë, ka zëra për më shumë, kam informacione që thonë se ka më shumë” tha ajo.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç komentoi deklaratat e presidentit serb.
Sipas tij, “aty u konfirmua edhe një herë se presidenti Vuçiç nuk mund të thotë asnjë fjali pa gënjeshtra, insinuata dhe manipulime”.