Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mashtruar për vite të tëra duke e ndërtuar perandorinë e vet të pasurisë së patundshme e cila e bëri atë të famshëm dhe e çoi në Shtëpinë e Bardhë, sipas vendimit të një gjykatësi amerikan më 26 shtator, shkruan CNN.
Gjykatësi Arthur Engoron – në verdiktin e tij për padinë civile ndaj Trumpit e cila u ngrit nga prokurorja e Nju Jorkut Letitia James – gjeti se Trumpi dhe kompania e tij i kishin mashtruar bankat, siguruesit dhe të tjerët duke i mbivlerësuar shumë asetet e tij dhe duke rritur tej mase vlerën e pasurisë së tij në dokumente të përdorura për të arritur marrëveshje dhe për të marrë hua.
Engoron urdhëroi që Trumpit t’i hiqen licencat e disa prej bizneseve të tij si ndëshkim, duke ia bërë atij të vështirë apo të pamundur të bëjë biznes në Nju Jork. Ai tha se një vazhdues i pavarur do të vazhdojë t’i mbikëqyrë aktivitetet e Organizatës së Trumpit.
Trumpit do t’i hiqet autoriteti për të marrë vendime strategjike dhe financiare në disa prej pronave kryesore në Nju Jork, nëse ankesa e tij ndaj këtij vendimi nuk është e suksesshme.
Në një sërë deklaratash, Trumpi u ankua ashpër ndaj vendimit, duke e quajtur atë “joamerikan” dhe pjesë të një komploti të vazhdueshëm për ta dëmtuar fushatën e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.