Kandidatët republikanë për President u përballën mbrëmë në debatin e dytë televiziv. Të gjithë kandidatët që morën pjesë janë shumë prapa ish Presidentit Trump në sondazhe.
Trump sërish nuk pranoi të marrë pjesë në debat, ndërsa kanë mbetur më pak se katër muaj deri të zgjedhjet e para brenda-partiake. Shtatë kandidatët republikanë që morën pjesë në debat u ngjitën në skenën e bibliotekës presidenciale ‘Ronald Reagan’ në Kaliforni.
U deshën vetëm pak minuta që të fillonin kritikat ndaj njeri tjetrit, secili prej tyre i vendosur të dallohej prej të tjerëve.
Për Imigracionin: Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie tha se do të dërgonte Gardën Kombëtare për të siguruar kufirin me Meksikën. Kina u trajtua si një vend armiqësor gjatë pjesës më të madhe të debatit.
Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley tha se do të dërgonte forca të operacioneve të posaçme për të sulmuar kartelet meksikane të drogës dhe do të ndalonte marrëdhëniet normale tregtare me Kinën derisa shteti komunist të ndalojë shpërndarjen e drogës fentanil.
Duke folur për luftën e Rusisë në Ukrainë, biznismeni Vivek Ramaswamy, tha se fakti që Putini është një diktator, nuk do të thotë se Ukraina është e mirë, ndërsa shtoi se Kina është armiku i vërtetë.
Florida i ka ndaluar shtetasit kinezë të blejnë prona pranë zonave ushtarake dhe Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se ai mbështet një ndalim të ngjashëm në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Kandidati kryesor, ish Presidenti Donald Trump mungoi në debat. Ai zgjodhi të vizitojë qytetin Detroit të Miçiganit, ku sindikata e punëtorëve të industrisë së prodhimit të makinave, është në grevë./VOA
Artikulli i plotë këtu.