Vrasja e Martin Bardhit në Rrëshen ka shkaktuar “furtunë” në Komisariatin e Lezhës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka shkarkuar nga detyra zinxhirin komandues duke nisur nga Shefi i Komisariatit, zv. Drejtorin për Hetimin e Krimeve, si edhe shefin dhe zv. Drejtorin e Sektorit për Rendin dhe Sigurinë.
Shkarkimet sipas tij janë bërë me qëllim dhënien e impulseve të reja forcës parandaluese, punës hetimore dhe forcës goditëse ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Muhamet Rrumbullaku thotë se policia nuk mori masa për të trajtuar konfliktin mes dy fiseve për ta parandaluar vrasjen.
“Lidhur me ngjarjen në qytetin e Rrëshenit, ku u vra një shtetas dhe u plagosën disa të tjerë, pas analizës së bërë lidhur me veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit, për ndjekjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për shkak të mostrajtimit/mosanalizimit të duhur të konflikteve ndërmjet fiseve në Rrëshen, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur:
-shkarkimin nga detyra të zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Lezhë Drejtues Alfred Nomani dhe emërimin në këtë detyrë të Kryekomisar Gentian Berberi;
-shkarkimin nga detyra të shefit të Sektorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, Kryekomisar Artur Cara;
-emërimin në detyrën e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, të Kryekomisar Altin Mena;
-shkarkimin nga detyra të shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisar Paulin Çupi dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Klodian Kondi”, thuhet në njoftim.
“Shkrihet” komisariati që i ndodhi vrasja para syve në Rrëshen