Zonja e Parë e Shqipërisë, Armanda Begaj, i është bashkuar këtë viti “Tetorit Rozë” , në ndihmë të grave dhe vajzave që vuajnë nga kanceri i gjirit.
Në një mesazh të posaçëm, zonja Begaj e vlerëson këtë muaj, si moment për reflektim, ndërgjegjësim dhe solidaritet.
“Gjatë 31 ditëve të tetorit, secili nga ne të ketë një moment reflektimi për çfarë do të thotë të jetosh normalisht në çdonjërën nga 365 ditët e vitit pas diagnostikimit me kancerin e gjirit,” thotë Zonja e Parë.
“Eksperiencat janë unike për këdo, por të gjithë besojmë se për të përqafuar plotësisht jetën duhet gjetur dëshira për t’u informuar, kurajoja për t’u diagnostikuar, forca për ta pranuar vetë e ndarë me të tjerë, optimizmi për ta kuruar kancerin e gjirit, por mbi të gjitha energjia për t’u përfshirë në aktivitete dhe marrëdhënie që sjellin gëzim e kënaqësi, që rrisin cilësinë e jetës,” shton zonja Begaj.
Ajo gjithashtu nxit shoqërinë të angazhohet për të ndihmuar në lehtësimin e vuajtjes dhe kapërcimin e kësaj sprove.
“Me gjithë vështirësitë për të kuptuar sfidat specifike me të cilat duhet të përballen, nënat, bashkëshortet, motrat, bijat e miket, të gjithë ne, familja e miqtë, të jemi mbështetësit më të mirë që ato të sfidojnë frikën, ankthin dhe madje edhe zemërimin pas dignostikimit me kancerin e gjirit apo të çdo lloji tjetër dhe të nisin një jetë normale të re,” thotë Zonja e Parë.
Zonja Begaj e mbyll mesazhin e saj me apelin: “Të gjithë bashkë edhe në këtë sfidë të jetës!”