Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock së fundmi ka reaguar në lidhje me sulmin në veri ku ka bërë thirrje ndaj Serbisë që ta ulë numrin e trupave përgjatë kufirit me Kosovën.
Kjo kërkesë e ministres gjermane ka ardhur pas takimit të zhvilluar mes 27 shefave të diplomacisë së unionit evropian që po zhvillohet në Kiev.
Kryediplomatja gjermane bëri thirrje urgjente që Serbia të ulë praninë e trupave në veri.
“E rëndësishme është që ditëve të fundit ne bashkë me amerikanët ua kemi bërë të qartë që të mos ketë tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Serbia duhet të ulë praninë e trupave ushtarake të saj përgjatë kufirit me Kosovën dhe kjo është thirrja urgjente e jona që vjen nga takimi i përbashkët i 27 ministrave të jashtëm në Kiev”, tha Baerbock.
Gjithashtu Berlini zyrtar mësohet se po e shqyrton mundësinë e forcimit të misionit paqeruajtës në Kosovë, drejtuar nga NATO.
Ata po planifikojnë dërgimin e trupave shtesë në KFOR të forcave të armatosura nga Mbrojtja Federale, Bundeswehr pas sulmit i cili u regjistruar një javë më parë kundër policisë së Kosovës në veri të vendit.
”Nëse është e nevojshme, ne do të shkojmë më shumë atje”, tha kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann.
Bundeswehr aktualisht ka vetëm 85 ushtarë të pozicionuar në Kosovë, por mandati, i cili u zgjat për herë të fundit nga Bundestagu në maj, parashikon deri në 400 trupa të Bundeswehr-it në terren.
Fraksioni i Unionit akuzoi qeverinë e semaforëve se ishte bashkëpunëtore në përshkallëzimin e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës.