Në një pikë duket se të gjitha partitë në Parlamentin e BE-së janë parimisht dakord: Që duhet t’i jepet fund vdekjes në detin Mesdhe. Por për mënyrën se si duhet realizuar kjo, pozicionet janë krejt të kundërta.
Objekti i debatit në Parlamentin e BE-së është domosdoshmëria për pranimin e shpejtë të paketës së rregullave për azilin dhe migrimin. Prej vitesh Bashkimi Europian bën përpjekje për reformën e Sistemit të Përbashkët të BE-së për Azilin (GEAS).
Kjo paketë reforme përmban disa projektligje. Ndër të tjera parashikohen procese të shpejta të shqyrtimit të kërkesës për azil që në kufijtë e jashtëm si dhe një ndarje të detyrueshme të azilkërkuesve brenda vendeve të BE-së.
Ndërkohë po negociohet në të dyja instancat legjilastive europiane, Këshilli i Bashkimit Europian (përfaqësuesit e vendeve anëtare) dhe Parlamentit Europian.
Bisedimet për pjesë të caktuara të reformës ndërkohë janë bllokuar për shkak të mos dakordësimit mes vendeve anëtare lidhur me të ashtuquajturin rendi i krizës.
Të mërkurën (04.10.2023) presidenca spanjolle e BE-së deklaroi se më në fund është arritur një marrëveshje. Rendi i krizës në raste të situatave të jashtëzakonshme parashikon masa më të ashpra, nëse shtetet e BE-së preken fort prej migracionit.
Në një rast të tillë emigrantët mund të mbahen për një kohë më të gjatë, ose mund të aplikohet më shpesh procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të kërkesës së azilit në kufi. Tani do të vihen sërish në lëvizje bisedimet me Parlamentin e BE-së.
Në Parlamentin e BE-së u diskutua shumë edhe për çështjen e solidaritetit. Kjo ka të bëjë me rregulloren Dublin II të së drejtës së azilit, sipas së cilës përgjegjës për azilkërkuesit është vendi, ku ata kanë shkelur për herë të parë territorin e BE-së. Prej vitesh shtetet në kufijtë e BE-së ankohen për mbingarkesën nga fluksi i refugjatëve./DW
Artikulli i plotë këtu.