CNN dhe BBC shkruajnë se autoritetet në Izrael u vunë në gatishmëri të lartë pasi një breshëri raketash u hodhën drejt Izraelit nga Gaza herët të shtunën dhe rezultuan në vdekjen e një gruaje.
Sirenat e alarmit që paralajmëronin për raketa ranë për disa minuta në pjesë të Izraelit jugor dhe qendror, ndërsa në Rripin e Gazës u dëgjua zhurma e vazhdueshme e granatimeve, sipas dëshmitarëve vendas.
Banorët e Gazës thanë se dëgjuan të shtëna armësh përgjatë pranë qytetit jugor të Khan Younis dhe panë lëvizje të luftëtarëve të armatosur. Shpërthime u dëgjuan në qytetet përreth Tel Avivit dhe jashtë Jeruzalemit.
Pak kohë më vonë, ushtria izraelite foli për infiltrimin e “një numri të pacaktuar terroristësh” në territorin izraelit nga Rripi i Gazës dhe njoftoi se ishte gati të kryente operacione nëse do të ishte e nevojshme. “Banorëve në zonat fqinje të Rripit të Gazës u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, shtoi ushtria.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se ai do të takohet me zyrtarë të lartë të sigurisë në orët e ardhshme. Shërbimet shëndetësore thanë se deri më tani kanë trajtuar 16 persona në të gjithë vendin, duke përfshirë dy në gjendje kritike, gjashtë në gjendje mesatare dhe shtatë me lëndime të lehta.