Ngjarjet në veri të Kosovës morën një vëmendje të veçantë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, që u mbajt në selinë e NATO-s, në Bruksel.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, pjesë e takimit, shprehu angazhimin e vendit tonë për zbatimin e vendimeve të marra në Samitin e Vilnusit mbi zhvillimin e planeve rajonale dhe strukturën e re të forcave, si dhe theksoi rëndësinë që ka realizimi i të gjithë familjes së planeve të shkurajimit dhe mbrojtjes, për të garantuar Aleancën nga kërcënimet e mundshme.
Sipas ministrit Peleshi, “Shqipëria ka një vullnet politik të qartë dhe do të vijojë të mbështesë me një qasje gjithëpërfshirëse masat për forcimin e deterencës dhe mbrojtjes, duke rritur edhe më tej kontributin në operacione dhe në misione si në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, në Vigjilencën e Përforcuar të NATO-s në Bullgari, Rumani dhe në detin Mesdhe”.
Duke u fokusuar në situatën mbi Ballkanin Perëndimor, Peleshi gjatë fjalës së tij dënoi me ashpërsi sulmin e sofistikuar terrorist në Veri të Kosovës, si një tentativë për destabilizimin e rajonit.
Sipas tij, reagimi i Beogradit duke heroizuar sulmuesit e 24 shtatorit në Banjska si dhe dërgimi i trupave dhe kapaciteteve ushtarake afër kufijve të Kosovës janë ngjarje të papranueshme dhe të dënueshme, prandaj BE-ja veçanërisht duhet të mbajë një qëndrim të prerë ndaj akteve të tilla dhe të shprehet hapur ndaj qeverisë serbe.
Në vëmendje të ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s ishte edhe mbështetja e palëkundur për Ukrainën, në përpjekjet e saj kundër agresionit rus.