Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas fitores së kombëtares mbrëmjen e djeshme ku ka përgëzuar punonjësit e policisë të cilët u angazhuan për mbarëvajtjen e përballjes mes Shqipërisë dhe Çekisë.
Balla ka falënderuar tifozët të cilët nuk shkaktuan incidente ku shtoi se kjo sjellje ka marrë vlerësim maksimal nga UEFA dhe FSHF.
“Meritojnë një përgëzim të madh 2300 punonjësit e policisë nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, të përfshira në mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe festimeve, përpara, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke.
Shumë mirënjohje qytetarëve që i mirëkuptuan masat e rrepta në këtë nivel të ri sigurie në stadiume, i cili mori dhe vlerësimin maksimal nga përfaqësuesit e UEFA, FSHF dhe Federata Çeke.
Faleminderit djemve të kombëtares dhe trajnerit për fitoren mbresëlënëse dhe historike”, shkroi Balla.