Pas operacionit të sotëm të bastisjes në veri të Kosovës, ku policia atje sekuestroi një sasi të armatimit, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka thënë se armatimi i sekuestruar deri tani zbardh planin e Serbisë për aneksimin e veriut.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës
“Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë,” ka shkruar Sveçla.
Më tej Sveçla ka thënë se granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
“Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës,” ka shkruar ministri.