“Letra e fundit drejtuar Ramës për Belerin”! Me këtë titull hapet artikulli i gazetës “Protothema”. Media greke ka zbardhur detaje nga takimi që dje ka pasur mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut Mitsotakis gjatë samitit të Procesit të Berlinit që u zhvillua në Tiranë. Në fokus të bisedës ka qenë çështja e Fredi Belerit, kryetarit të bashkisë së zgjedhur të Himarës që u arrestua për blerje votash dy ditë përpara 14 Majit.
“Sipas burimeve, zoti Mitsotakis nuk i ka lënë hapësirë zotit Rama të vërë në dyshim qëndrimet greke dhe qëndrimin e Athinës, në funksion të Këshillit Europian në dhjetor – i cili do të gjykojë ambiciet e Tiranës për anëtarësim – duke këmbëngulur për Fredi Belerin. Në këtë kuadër, duket se po kërkohet një zgjidhje për ngërçin që është krijuar, për shkak të metodave të qeverisë shqiptare kundër Belerit” shkruan “Protothema”.
Më herët, duke marrë pjesë në punimet e seancës, kryeministri grek sqaroi publikisht në deklaratat e tij për mediat se për Greqinë, zgjidhja e çështjes Beleri është një kusht i domosdoshëm, për të nisur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE- në.
Në prag të Përvjetorit Kombëtar të 28 Tetorit 1940 është planifikuar zbulimi i bustit të Konstantinos Mitsotakis (babai i Kyriakos Mitsotakis), kryeministër grek në periudhën 1990-1993 në sheshin qendror të Derviçjanit. Ndonëse kryeministri grek është ftuar nga qeveria shqiptare, “burimet thonë se zoti Mitsotakis nuk do të marrë pjesë për shkak të çështjes Beleri që hedh hije të rënda në marrëdhëniet dypalëshe.
Përveç kësaj, përvjetori i “JO”-së lidhet edhe me ngjarjen e trishtë të vrasjes së mërgimtarit Konstantinos Katsifas në vitin 2018, e cila në vend të përgjigjeve serioze nga autoritetet shqiptare doli një përfundim i diskutueshëm që e paraqet viktimën si … shkaktuar” shkruan gazeta greke.