Veprat penale, që kryhen nga të miturit, po shtohen me shpejtësi duke pasqyruar situatën në të cilën gjendet shoqëria shqiptare. Vetëm gjatë kësaj jave, në Shkodër, Tiranë dhe Kamëz u regjistruan tre vepra penale me përfshirjen e 11 të miturve me pasojë plagosjen e tre prej tyre.
Sipas një raporti të prokurorisë, brenda dy viteve të fundit veprat penale të kryera nga të miturit janë rritur me 16.6 përqind.
“Të miturit në konflikt me ligjin janë në rritje vitet e fundit, kjo sipas asaj që deklarohet nga institucionet e drejtësisë, policia, prokuroria, gjykata me vjetarin e saj.
Janë në rritje sepse, vit mbas viti po ndryshojnë edhe veprat penale që ata kryejnë. Dhe veprat penale që të miturit po kryejnë janë vjedhjet dhe angazhimi shumë i frikshëm që ata kanë në lidhje me shitjen e narkotikëve”, thotë kriminologia Vinifreda Gazulli.
Të dhënat e Institutit të Statistikave flasin për 1773 persona nën 18 vjeç autorë të veprave penale. 572 prej tyre organi i akuzës i ka marrë si të pandehur ose si persona nën hetim për kryerjen e veprave penale, ndërsa për 25 të mitur është marrë masa e sigurisë arrest me burg.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, duke përmendur raste konkrete, thotë se të miturit po kryejnë vepra penale edhe brenda dyerve të shkollës ku mësojnë.
“Si rasti në dy shkolla të qytetit të Shkodrës ku dy nxënës shpërndanin lëndë narkotike në shkollat ku ata ishin nxënës si dhe mbanin me vete mjete prerëse.
Strukturat policore në të gjithë qarkun po bashkëpunojnë me oficerët e sigurisë në shkolla dhe stafet pedagogjike duke ushtruar kontrolle me qëllim parandalimin e futjes së lëndëve narkotike në shkolla apo sendeve të tjera të kundraligjshme”, deklaroi ai./VOA
Artikulli i plotë këtu.