Pakënaqësitë mbi politikën e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Izraelin në luftën kundër militantëve të Hamasit u bënë publike këtë javë pasi një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit dha dorëheqjen në shenjë proteste.
Josh Paul ka punuar në çështjet globale të transferimit të armëve dhe ka qenë drejtor i Zyrës për Çështjet e Kongresit dhe Marrëdhëniet me Publikun në Byronë e Çështjeve Politiko-Ushtarake të Departamentit të Shtetit.
Ai njoftoi dorëheqjen të mërkurën përmes një postimi në platformën LinkedIn, duke përmendur kundërshtimin e tij ndaj vazhdimit të ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Izraelin ndërkohë që vazhdon fushata e bombardimeve në Rripin e Gazës dhe bllokada ndaj këtij territori palestinez.
Zoti Paul tha se përgjigjia e Izraelit ndaj sulmit brutal të Hamasit ndaj civilëve izraelitë më 7 tetor ka rënduar krizën humanitare për 2.2 milionë palestinezë. Ai tha për kanalin PBS lidhur me transferimin e armëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Izraelin se “sistemi është i dëmtuar”.
“U kam shkruar një numri udhëheqësish brenda Departamentit të Shtetit, duke i pyetur ‘a mund të ndalemi dhe të analizojmë nëse ky veprim na ndihmon të arrijmë aty ku duam përpara se të marrim një vendim të tillë (për dërgim të armëve)’…nuk mora përgjigje për këtë,” tha ai.
Zoti Paul ka punuar në Departamentin e Shtetit për 11 vjet. Në letrën e tij të dorëheqjes, ai dënon sulmin e Hamasit ndaj civilëve izraelitë.
“Më lejoni të jem i qartë, sulmi i Hamasit në Izrael ishte një sulm monstruoz,” tha ai./VOA
Artikulli i plotë këtu.