Mbyllen hetimet. Dy vëllezërit Indrit e Gentian Beqiraj do të dalin para gjykatës për tentativën e vrasjes së Geron Hasanbellit nga hasmi, Kasandër Noga, që është autori i masakrës së Sanatoriumit në vitin 2000.
Nga hetimet është zbuluar se për të kryer krimin ata në fillim kanë bashkëpunuar me Alban Skonjën e Ilirjan Fecin, të cilët në fund janë tërhequr dhe në dorë atentatin e ka marrë Kevin Zeneli, i cili vrau gabimisht në një lokal në Don Bosko Erjon Çelën dhe plagosur disa të tjerë.
Për të mbështetur akuzën me fakte dhe prova të reja janë përdorur edhe komunikimet në “Sky ECC”. Dy vëllezërit këtë kohë kanë ndjekur Geron Hasanbellin për lëvizjet në Tiranë.
Por si u zbuluan? Në tetor 2022, vëllezërit Beqiraj u mbajtën peng disa orë nga njerëzit e Aleksandër Lahos i njohur me nofkën Rrumi, të cilin po e vëzhgonin dhe bënin plan për ta vrarë.
Pasi u liruan ata rrëfyen krime të rënda, për të cilat prokuroria e ka çuar çështjen dhe po vijon hetimet.
Kasandër Noga është arrestuar në Vjenë në qershor të vitit të kaluar, pasi akuzohet për plagosjen e Erion Hasanbelliut në Bruksel.