-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjuha shqipe në Universitetin e Harvardit

Kryesoret

Në fillim të vitit, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në Universitetin e Harvardit iu shtua edhe gjuha shqipe.

Kjo erdhi pas kërkesës së studentëve shqiptaro-amerikanë dhe mbështetjes së punonjësve shqiptaro-amerikanë në administratën e këtij universiteti.

Ky është semestri i dytë i dhënies së lëndës së gjuhës shqipe në Harvard.

Kolegu Burim Goxhuli ishte në qytetin Cambridge të Masaçusetsit ku ndodhet Universiteti i Harvardit dhe sjell më shumë hollësi mbi këtë programi.

Gjuha shqipe, lëndë me zgjedhje në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së afërt në Universitetin e Harvardit, ofrohet në tri nivele, atë fillestar, të mesëm dhe të avancuar, varësisht nga njohuritë e studentëve.

Ligjeruesi Faton Limani thotë se studentët që zgjedhin gjuhën shqipe nuk mësojnë vetëm bazën e gjuhës.

“Studentët mësojnë strukturën e gjuhës, gramatikën dhe morfologjinë, por edhe të folurit, shkrimin dhe leximin. Gjithashtu, unë si ligjerues, përveç atyre gjërave bazike, që u duhen studentëve për ta mësuar, për ta folur dhe për ta shkruar gjuhën shqipe, kam futur edhe pjesën e kulturës dhe historisë. Për çdo semestër studentët bëjnë nga një prezentim, ku zgjedhin tema të caktuara si historia e alfabetit të gjuhës shqipe, historia e shqiptarëve, apo folklori, muzika, tradita e të tjera”, thotë zoti Limani për Zërin e Amerikës.

Ishte studentja shqiptaro-amerikane Edona Çosoviç ajo që verën e vitit të kaluar parashtroi kërkesën që gjuha shqipe të bëhej pjesë e studimeve në Universitetin prestigjioz amerikan.

Studentja e Shkencave Politike ka lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër shqiptarë të Malit të Zi.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Edona thotë se ishte dëshira për të studiuar më shumë mbi origjinën e saj ajo që e shtyu të kërkonte përfshirjen e programit të gjuhës shqipe në Harvard.

“Kjo është një arsye e rëndësishme për ta pasur këtë lëndë në Harvard. Unë kam dashur ta mësoj gjuhën, është shumë e rëndësishme për mua. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. Dua që edhe fëmijët e mi të flasin shqip. Por dua ta kem edhe kulturën. Të mësoj më shumë edhe mbi historinë e Shqipërisë. Unë jam shqiptare nga Mali i Zi dhe nuk i di të gjitha ndodhitë në Shqipëri dhe Kosovë. Tash, pak nga pak, në çdo klasë unë mësoj më shumë”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Klasët e gjuhës shqipe i zgjodhi edhe Kevin Dervishi, student shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tirana.

“Ndoshta nuk duhet ta them këtë në televizion, por familjes sime ende nuk i kam treguar, sepse dua t’i befasoj me një shqipe më të mirë dhe duke qenë më afër me komunitetin shqiptar. Një ditë, kur shqipja ime të jetë shumë më e mirë, do t’u tregoj se çfarë kam mësuar. Mezi po pres t’i befasoj”, thotë ai.

Kevini po vazhdon studimet e doktoraturës për biologjinë e kancerit në Harvard.

Ai thotë se pasi zgjodhi klasët e guhës shqipe, aftësitë e tij për t’u shprehur janë përmirësuar dukshëm.

“Jam shumë i lumtur sepse kur isha i vogël, harrova gjithë gjuhën shqipe. Por tani do ta praktikoj gjuhën dhe do të flasë prap në shqip”, thotë ai.

Studentja Çosoviç thotë se ruajtja e gjuhës është mënyra më e mirë për të mbajtur lidhjet me familjen.

“Prindërit e mi janë shumë krenar për mua, sepse ata kanë dashur gjithmonë që unë të jem shumë afër me kulturën dhe familjen time. Kur je më e lidhur me kulturën tënde është më e lehtë të jesh më afër me familjen. Kultura e shqiptarëve është të jesh më afër me familjen dhe të ruash lidhjet me komunitetin tend. Edhe ata janë shumë shumë krenarë për mua. Edhe ata që ndodhen në Mal të Zi. Gjithmonë pyesin për mua. Jam shumë e lumtur”, thotë ajo./VOA

Artikulli i plotë këtu.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit