Senatori amerikan Bob Menendez do të dalë sërish sot para gjykatës dhe pritet që me gjasë të deklarohet se është i pafajshëm ndaj akuzave për konspiracion, lidhur me dyshimet se ka ushtruar ndikimin e tij në shërbim të interesave të Egjiptit, kur ishte kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Gjashtëdhjetë e nëntë vjeçari pritet të dalë sot pasdite para gjykatëses Sidney H. Stein në gjykatën federale në Manhatan.
Demokrati nga Nju Xhersi u largua përkohësisht nga posti i fuqishëm si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë pas ngritjes së akuzave ndaj tij muajin e shkuar.
Sipas hetuesve, senatori dhe bashkëshortja e tij, Nadine Menendez ka marrë ryfshfet në para, kallëpe ari dhe një makinë luksoze nga tre sipërmarrës nga Nju Xhersi në këmbim të një sërë aktesh korruptive.
Por senatori Menendez i ka hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë besnik ndaj Shteteve të Bashkuara duke shtuar se do të arrijë të vërtetojë pafajësinë e tij.
Zoti Menendez nuk ka pranuar thirrjen e më shumë se 30 demokratëve që ai të japë dorëheqjen.
Prokurorët federalë riformuluan afro 2 javë më parë aktakuzën e tyre kundër senatorit dhe bashkëshortes së tij, duke i akuzuar për konspiracion, duke synuar ushtrimin e ndikimin e tij për interesa të Egjiptit dhe zyrtarëve egjiptianë./VOA