-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Mori fund koha kur pushteti ka qenë më i rëndësishëm se e vërteta?

Kryesoret

Megjithëse mund të ishte menduar se vendimi i gjykatës për arrestimin e dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha mund të kishte qenë e papritura e madhe, në fakt, askush nuk u habit.

Megjithëse mund të mendohej se vendimi i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ish-kryeministrin Berisha, “detyrim paraqitje”, apo ndalimi i udhëtimeve të tij jashtë Shqipërisë, që në fakt përbën një shkallë të zbutur të arrestit shtëpiak, mund të sillte një lëvizje të ndjeshme kundërshtuese, deri në përplasje me sistemin, asgjë nuk ndodhi.

Askush nuk lëvizi nga vendi dhe si duket, kishte qenë një vendim i pritur, që ishte pranuar edhe më parë se të ndodhte.

Edhe vendimi i GJKKO për vendosjen sekuestro preventive të pasurive të paluajtshme e llogarive bankare të Jamarbër Malltezit nuk tronditi njeri. Pasuritë e ndjeshme të tij, pak a shumë ishin të njohura.

Si duket, e gjithë ajo që u paraqit është vetëm njëra nga majat e ajsbergut financiar të dhëndrit kryeministror dhe ndalesa mund të mos jetë vetëm kaq.

Risi nuk përbëjnë të gjitha këto. Të gjitha ishin të pritura, ashtu si më e rëndësishme është se vendimet e përcaktuara përbëjnë një precedent që nuk lidhet vetëm me një njeri, sado i fuqishëm të duket ai, as me disa ngjarje që për shumë kënd ishin të pritura.

Nuk e di se si do të shkojnë më pas gjërat. Të gjitha opsionet janë të hapura. Rruga  është e gjatë dhe fillesa nuk është në këtë fund muaji tetor, por shumë me herët, dhe si duket, dikush ndoshta edhe i mbështetur nga institucione të tjera, jashtë Shqipërisë, mori një nga vendimet, që do të tronditin skenën politike shqiptare, jo vetëm tani, por më shumë në të ardhmen.

Për çështjen e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani” është folur që prej disa viteve, janë bërë hulumtime, janë hedhur ide, janë paraqitur akuza të ndryshme dhe ka qenë një nga kuajt e betejës së shumicës qeverisëse. Pas saj janë edhe afera të tjera dhe si duket kjo shërbeu për të hapur “Kutinë e Pandorës”, të një sërë çështjesh të tjera, që lidhen me qeverisjen e opozitës, por jo vetëm të saj.

Së pari, askush nuk është imun para drejtësisë. Ndëshkimi për aferat që mund të kenë ndodhur është hapur dhe nuk do të ketë më murin e politikës para vetes, ashtu si nuk do të ketë një kohë të caktuar krejt shkurt për t‘u gjykuar.

Nga shumë vetë është menduar se çdo cenim që do të bëhej nga sistemi i drejtësisë ndaj Berishës, apo familjes së tij në një rast më të thjeshtë, do të kishte reagim rebelues dhe për më tepër, protesta të ndjeshme dhe të fuqishme. Kjo nuk ndodhi, dhe si duket nuk do të ndodhë.

Qetësia me të cilën është pritur dëshmon se shumë njerëz, shumica dërmuese e popullsisë është e lodhur me klasën politike, e cila ka bërë një mijë e një të zeza, është pasuruar dhe ka ndjellë të keqen mbi fatet e njerëzve. Loja e deri tanishme, sipas së cilës, pushteti i justifikon gjërat dhe të lejon të kesh imunitet, po merr fund. Edhe në majat e politikës.

Së dyti, ka qenë një betejë e gjatë mes sistemit të drejtësisë dhe pushtetit për të bërë të ligjshëm ndëshkimin e klasës politike. Gjithë herë ka fituar pushteti. Vetëm së fundmi, gjërat po fillojnë të përmbysen. Rasti i ish-ministrit Koka, i numrit dy të qeverisë Rama, Ahmetaj, burgosja e disa zyrtarëve të mesëm dhe drejtues të pushtetit lokal, dosjet e ndjekura dhe dërgimi për gjykim, përbëjnë atë fillesë që është pritur, por që deri tani nuk kishte ndodhur.

Kjo do të jetë edhe më tej një betejë e gjatë, e mundimshme, e lodhshme, dhe jo gjithë herë do të jetë e vërteta ajo që do të sundojë. Si ka ndodhur shpesh, do të mund të ndodhë edhe në të ardhmen, por sinjalet e dhëna janë shpresëdhënëse.

Së treti, dërgimi për gjykim i çështjes Berisha, etj, nuk përbën një gjë tronditëse për njerëzit. Si duket, e shumë pritura goditja në “peshqit e mëdhenj”, ka ardhur në momentin e duhur dhe në terrenin e duhur. Më në fund ka rënë alibia e mos ngacmimit të të fuqishmëve për hir të qetësisë, ose për mos prishjen e ekuilibrave politikë.

Shumë herë, për hir të ruajtjes së status-kuo-së politike, është ndërhyrë edhe nga institucione të tjera. Ose vetë pushteti ka ndërhyrë përdhunshëm për të përmbysur krejt sistemin.

Dy raste në të shkuarën, që duhen hapur domosdo, ai i çështjes Meta, në videon e famshme, që aq lehtësisht u hodh poshtë, megjithëse ishte dhënë verdikti nga një institucion i fuqishëm si FBI, apo vrasjet e 21 janarit, kanë dëshmuar se pushteti ka qenë më i rëndësishëm se e vërteta dhe në të dy rastet, përmes dhunës politike është mposhtur sistemi i drejtësisë.

A do të ndodhë edhe kësaj radhe kështu? Është e mundur, por atëherë do të ketë humbje të plotë të besimit te reformimi i sistemit të drejtësisë. Ashtu si mund të ketë humbje të ndjeshme edhe nëse çështje të tjera të hapura, apo në hetim, do të mbylleshin nga forca e politikës.

Të paktën, në këtë rast, është një fillesë, e cila duhet shkuar deri në fund, duke zbardhur të vërtetën dhe mbi të gjitha duke e bërë të qartë këtë të vërtetë.

Nuk e di nëse është vërtetë i fajshëm Berisha apo familja e tij. Perceptimi i përgjithshëm të çon drejt fajësisë, por kjo duhet saktësuar.

Së katërti, faji mbetet gjithnjë aktual. Shkelja e ligjit, pavarësisht nga kalimi i viteve është gjithnjë aktual. Asnjë shkelje nuk mund të parashkruhet. Ajo që ka dëmtuar interesat e shtetit apo të shtetasve duhet ndëshkuar. Pavarësisht se cili qëndron pas saj. Slogani i mbetur deri tani vetëm slogan, sipas të cilit të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, duhet të jetë mbizotërues.

Nëse është i fajshëm, Berisha dhe familja e tij duhet ndëshkuar jo se ai vetë është kreu i pjesës së madhe të opozitës, por sepse si çdo qytetar, bëmat dhe keqpërdorimet e pushtetit, kur ai ishte në majën e piramidës pushtetore, duhen ndëshkuar.

Shpesh herë është luajtur me procedurat. Janë mbyllur çështje të rëndësishme përmes procedurës. Rasti i abuzimeve të mëdha në Rrugën e Kombit, ku “humbën”, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, rreth 220 milion euro, është vetëm njëri prej tyre. Rastet e së nesërmes, qoftë për PPP-të e famshme, apo koncesionet e dhëna në sistemin e drejtësisë, duhet të jenë të qarta për të gjithë.

Së pesti, në pak vite, disa njerëz, dhëndurë apo kunetër, nuse apo farefis i njerëzve të pushtetit, janë pasuruar aq shumë, sa që të duket e pabesueshme se si ka ndodhur kjo.

Rasti Malltezi është njëri prej tyre, i njohur tashmë edhe nga vendimet e GJKKO.

Si është e mundur që një njeri, pa pasur një vend të caktuar pune, i panjohur në shumë vite, befas, pas një martese, krushqie apo në saj të lidhjes së tij me pushtetin, zgjohet një ditë me pasuri të mëdha. Një familje e lidhur me pushtetin, në pak vite, në këtë rast më pak se 20 vite qëndrimi në Shqipëri, kanë në të njëjtën kohë 16 pasuri të paluajtshme, 6 llogari bankare në euro, dollarë dhe lekë, të kenë në një shoqëri të quajtur “Homeplan” shpk, 45 për qind të kuotave, në një tjetër 100 për qind, përsëri në një tjetër 60 për qind.

Këto pasuri nuk i kanë rënë nga qielli asnjë prej rioshëve të politikës. Kur janë futur në politikë, pikërisht nga lidhjet miqësore apo familjare ata ishin njerëz me pasuri të zakonshme, si kanë deklaruar vetë, kur befas, pas pak viteve, janë milionerë.

Në Shqipëri ka disa institucione të kontrollit të pasurive apo ndjekjes së pasurive të paligjshme. Çfarë kanë bërë ato? Të mundur nga pushteti kanë vegjetuar, kanë bërë kompromise të rënda dhe kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë të ardhmen e vendit.

Së gjashti, Berisha në konferencën e tij të shtypit, thirrur me urgjencë dhe ende nuk e kishte marrë veten nga çfarë kishte ndodhur, deklaroi se e gjitha kjo ishte pasojë e shkeljes së kushtetutës, ligjeve dhe vendosjes së diktaturës së Edi Ramës në Shqipëri.

Edi Rama nuk është njeri i lehtë dhe jo kurdoherë ka vendosur si është dashur të vendosë. Por, ajo që ka ndodhur jashtë kohës së pushtetit të tij nuk mund të amnistohet me gjetje politike.

Edhe nëse shefi i qeverisë së tanishme ka bërë një mijë e një të zeza kjo nuk e justifikon të djeshmen, korrupsionin që ka ndodhur, mbledhjet me çantë të parave në burime të pasura, vendosjen e shtetit në këmbët e rioshëve dhe shkeljet e pafund të ligjeve të ndodhura në një qeverisje tjetër, ku vetë Berisha ka qenë shefi i qeverisë.

Nëse një herë e një kohë janë mbyllur me forcë, kjo nuk përbën alibi për mos-hapjen e tyre qetësisht dhe atëherë kur gjërat janë kopsitur.

Së fundi, në të gjithë këtë histori ka edhe një fakt interesant dhe domethënës. Në kohën e hartimit të ligjeve favorizuese për privatizimin e kompleksit “Partizani” disa anëtarë të komisionit ngritur për këtë qëllim, nuk kanë pranuar të firmosin, duke e quajtur shkelje të ligjit dhe si ndodh, në qeverisjet diktuese, janë ndëshkuar. Pothuajse të gjithë janë dëbuar nga puna dhe në vendin e tyre janë emëruar të tjerë, që nuk kanë ngurruar të firmosin paligjshmërinë. Pra, janë bërë pjesë e aktit korruptiv, duke përmbytur edhe ndërgjegjen e tyre njerëzore e qytetare.

Nëse të parët duhen përgëzuar, të dytët duhen ndëshkuar. Jo vetëm që të mësojnë të tjerët, por se vetëdijshëm kanë shkelur ligjin.

Çështja Malltezi, që shumë shpejt mund të quhet çështja Berisha është patatja më e nxehtë në duart e sistemit të drejtësisë. Shumë baltë do të hidhet mbi to. Një pjesë u hodh furishëm në konferencën e jashtëzakonshme të shtypit të zotit Berisha. Do të anatemohen. Do të mallkohen. Do të jenë nën trysninë e politikës, njëjtë si ishin në kërcënimin e bandave të rrugës. E keqja nuk ndryshon, pavarësisht se si quhet ai që përpiqet të godasë.

Do të jetë një betejë e vështirë. Që sapo ka hapur një sipar të saj. Ajo që shihet pas perdeve është gjithnjë ana më e errët e politikës./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit