Foto ilustruese
Suel Çela mesa duket shpëtoi përsëri. Forca të shumta të policisë, lokale të ndihmuar nga FNSH kanë kryer një aksion për kapjen e Suel Çelës në Elbasan. Forca e policisë kanë zbarkuar në tregun agro-ushqimor të babait të tij, Petrit Çela dhe në shtëpinë për kontrolle blic.
Gjithashtu kontrolle janë kryer edhe në disa objekte të tjera ku dyshohej se fshihej Çela. Por kanë dalë huq. Për momentin nuk ka asnjë informacion nga policia për bilancin, por duket se i riu ka mundur që të arratiset përsëri ose informacioni që kishte policia për vendndodhjen nuk ishte i saktë.
Suel Çela kërkohet prej disa vitesh si person i dyshuar i përfshirë në ngjarje kriminale. Në nëntor 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për sulmin ndaj policisë tek tregu ushqimor i Elbasanit. Por Suel Çela rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh.
Në maj të vitit 2022 ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” të organizuar nga SPAK. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve.
Suel Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës. Një tjetër krim i porositur nga Suel Çela është ajo e tentativës për të vrarë administratorin e shkollës private Lulzim Masha në Tiranë.
Policia dhe hetuesit në Elbasan “ngrihet në këmbë” për kapjen e Suel Çelës