Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete deklaroi sot se Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave. Sipas ministrit, vendimi është inkurajues dhe do të sjellë ndikim pozitiv në disa aspekte.
“Është marrë vendimi për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri. Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve.
Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit.
Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë” tha Mete.