Ushtria izraelite tha të premten se forcat e saj tokësore po zgjeronin operacionet në Rripin e Gazës dhe se ushtria po i afrohej një sulmi të plotë me trupa tokësore në territor.
Kundër admiral Daniel Hagari, zëdhënësi i ushtrisë, tha se janë kryer sulme ajrore, që kanë patur si objektiv tunelet e Hamasit dhe objektiva të tjera.
“Në vazhdim të sulmeve që kemi kryer në ditët e fundit, trupat tokësore po zgjerojnë ndërhyrjen tyre gjatë mbrëmjes. Po ndërhyjmë me forcë të madhe për të arritur objektivat e luftës”, tha ai.
Kompania telefonike palestineze Pailtel thotë se shërbimi i internetit në Gazë është ndërprerë për shkak të bombardimeve izraelite.
Shërbimi u ndërpre të premten mbrëma, pas një sërë sulmesh të rënda ajrore në territor.
Izraeli ka dislokuar qindra mijëra trupa në kufirin me Gazën, në prag të një sulmi të mundshëm me trupa tokësore ndaj grupit militant të Hamasit.
Ministri izraelit i mbrojtjes tha të premten se Izraeli pret që së shpejti të kryejë një ofensivë afatgjatë dhe të vështirë me trupa tokësore në Gazë, duke shtuar se sulmi do të përfshijë edhe shkatërrimin e një sërë tunelesh që përdoren nga militantët e Hamasit.