Prokuroria e Posaçme do u drejtohet me letërporosi të disa vendeve të Bashkimit Evropian, pas rrëfimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafanit, për 2 linja të trafikut të kokainës jashtë territorit të vendit tonë.
Letërporositë e SPAK do të nisen për të mësuar më shumë rreth personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë, pas mbërritjes nga Prokuroria e Elbasanit në SPAK të dosjes së grupit të Laert Haxhiut, dosja është marrë në ngarkim nga prokurori Behar Dibra, i cili brenda të hënës dorëzon në Gjykatës e Posaçme kërkesën për rivlerësim të masave të sigurisë për të gjithë personat që janë në hetim për këtë çështje.
SPAK mësohet se ka studiuar të gjitha deklarimet e Artan Tafanit, i cili çoi në zbardhjen e disa prej ngjarjeve që ishin mbuluar nga harresa, për shkak të mungesës së provave.
Haxhiu është i arrestuar në Greqi në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatave atje për ekstradim.
Ai rezulton i dënuar me 18 vite burg për vrasjen e Gerti Lalës në vitit 2010, ndërkohë vijon gjykimi në SPAK për vrasjen Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në vitin 2017, ngjarje në të cilën shënjestër e sulmit ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti.