Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në intervistat e fundit për mediat serbe ka lënë të kuptohet se në Bruksel atë e kanë përballur me çështjen e sulmit në Banjskë të Kosovës.
Vuçiq tha se i është thënë se në Banjskë është vrarë polici i Kosovës, ndërsa ai ka reaguar për të thënë “jo, katër”.
“Ata ende thonë një, unë them katër, këto janë gjërat për të cilat duhet të reagosh, dhe ne pak a shumë kemi mësuar gjithçka tjetër,” tha Vuçiç në TV Prva.
Ai tha se në një moment, presidenti i Francës i kërkoi të nënshkruante diçka, por që kishte refuzuar.
“Isha ulur përballë të gjithëve, gjashtë prej tyre, dhe Macron më tha të nënshkruaj tri letra. Unë jam ulur vetëm dhe duhet të përballem me ata që e di se janë më të mëdhenj dhe më të fortë, numëroj sa më të mëdhenj dhe më të fortë janë, por gjithsesi – Kushtetutën e kam, nuk dua ta nënshkruaj, por çfarë të dua, e kam Kushtetutën që jam betuar, që e dua dhe e respektoj,” tha Vuçiç.
Në Bruksel, Vuçiç tha se s’u diskutua ndëshkimi i Serbisë.
“Meqenëse nuk e pranuan se ishte akt terrorist, kërkuan që të dënohej sulmi ndaj policisë së Kosovës nga një grup paramilitar i mbështetur nga autoritetet serbe. Fqinjët donin ta fusnin atë, por nuk kaloi,” tha Vuçiç.
Ndëshkimin e Serbisë e kishin kërkuar paraprakisht Shqipëria dhe Kroacia, përveç Kosovës, por Vuçiç kujtoi se Shqipëria nuk është në Këshillin Europian.
“Kroacia kërkoi nga BE-ja që të vendosë sanksione ndaj Serbisë për shkak të Banjskës,” tha Vuçiç./Gazeta Express