Kryetari i “Forumit Shqiptar” Nik Gjeloshaj do të jetë zëvendëskryeministri i ri i Malit te Zi dhe Ministër i Ekonomisë.
Në qeverinë e ardhshme të Malit të Zi pritet të ketë dhe 2 poste të tjera ministrore që do të mbahen nga shqiptarët, respektivisht Fatmir Gjeka do të marrë drejtimin e Ministrisë së Pakicave. Ndërkohë që Marash Dukaj do të jetë ministër i ardhshëm i Administratës Publike.
Gjeloshaj ka njoftuar dhe përfundimin e rrugëtimit të tij në krye të komunës së Tuzit. Ai ka falenderuar qytetarët dhe bashkëpunëtorët për punën e kryer gjatë 55 muajve që ai ishte në krye të kësaj komune.
“Jam krenar për sa shumë mundëm të bëjmë sëbashku me skuadrën e jashtëzakonshme e Komunës së Tuzit! Jam i vetëdijshëm për sfidat që na presin, sepse siç thashë, kjo është një maratonë për të punuar dhe zhvilluar Malësinë dhe shqiptaret!
Rrugëtimi do të jetë sfidues, por përpjekja ime do të jetë maksimale për t’i qëndruar fjalës së dhënë. Dhe këtë do ta bëj me mish e me shpirt siç e kam bërë në Komunën e Tuzit. Nuk mund ta mbyll këtë komunikim me ju pa shprehur disa falenderime shumë të përzemërta.
Kjo është thjeshtë një mirupafshim dhe jo një lamtumirë, sepse, punën që kemi nisur do ta vijojmë tanimë me praninë në qeverinë e re” shkruan ai.