Ndërpritet për herë të dytë seanca e parlamentit ditën e sotme. Opozita ka bërë rezistencë duke mos lejuar zhvillimin normal të parlamentit.
Ish-kryeministri Sali Berisha është futur LIVE në Facebook duke deklaruar se qëndresa e tyre do të vazhdojë.
“Kjo skenë që shihni ju sot, kjo skenë që përbën një provokacion të ulët, banditesk ndaj opozitës e krijon fakti sepse këta bajlozë krimi në qeveri, këta hajdutë që kanë humbur çdo normë etike, morale, ligjore na përjashtojnë ne deputetëve të opozitës nga të drejtat kushtetuese të deputetit.
Një nga të drejtat më themelore kushtetuese të deputetit në parlament është e drejta e tij së bashku me 35 deputetë të tjerë të ngrejë komision hetimor parlamentar për të bërë transparencën për problemet e mëdha që ai konsideron.
Kjo e drejtë e sanksionuar nga kushtetuta nuk mund ti mohohet askujt. Mbledhja e firmave për një komision hetimor parlamentar, është automatike ngritje e komisionit.
Por kjo nuk ndodh, sepse Edi Rama i ngërthyer nga aferat e tmerrshme vjedhje dhe korrupsioni, në drogë. Këta që besojnë se mund të shkelmojnë kushtetutën, këta janë banditë, këta janë një bandë e turpshme që nuk kanë asnjë moral dhe ligj” tha ai.