Mbrëmja e sotme do të jetë e tensionuar në Kuvend. Në orën 17:00 do të zhvillohet seanca e radhës plenare. 23 deputetë të opozitës të përjashtuar në datë 19 Tetor pretendojnë se afati përfundoi dje dhe sot do të shkojnë në seancë me të njëjtën skenar si javën e kaluar.
Rezistencë. Socialistët sipas diskutimeve dhe porosive të vetë Edi Ramës nuk pritet që të reagojnë. Kryeministri në mbledhjen e sotme të grupit ka dhënë disa porosi për të tijët.
“Ne vazhdojmë të respektojmë rregulloren, ata të vijojnë punën e tyre. Për çdo situatë të krijuar duhet që PS të jetë e unifikuar në qëndrim”. Ishte porosia e kryeministrit për deputetët.
Opozita ka intensifikuar aksionin në parlament dhe pritet që e njëjta gjë të ndodhë me bazën ku po përgatiten protestat në një kohë që SPAK-u ka vendosur dy masa sigurie për hetimet për dosjen “Partizani”.