Policia greke ka zbardhur vrasjen e 43-vjeçareje rumune 9 vite pas krimit. Nëna e tre fëmijëve u gjet e zhveshur në banjë e masakruar me thikë në vitin 2014. Për krimin u akuzua partneri i saj shqiptar, 54-vjeçar Jani Zoto, i cili mohoi përfshirjen në vrasje, por u dënua me burgim të përjetshëm.
Në muajin korrik është arrestuar në Gjermani një pakistanez, i cili ka rezultuar autor i krimit makabër dhe është tradhtuar nga gjurma e gishtit të dorës.
Pakistanezi u arrestua në Gjermani për vjedhje dyqani dhe pas një hetimi u identifikua shenja e gishtit. Gjatë marrjes në pyetje ai raportohet se ka rrëfyer se kishte vrarë 43-vjeçaren Aciu Flopjca Aurica.
Në prill të vitit 2023, “Demokratiki” zbuloi se ishte vërtetuar mos përfshirja në krim e 54-vjeçarit shqiptar të dënuar në qershor 2015 me burgim të përjetshëm për krimin e rëndë. Jani Zoto u la i lirë. Ai qëndroi për 3 vite në qeli përpara se ngjarja të merrte kthesë dhe të dilte i pafajshëm.
“Në fund të fundit ka një Zot. Zoti pati mëshirë për mua dhe më ndihmoi të zbulohej e vërteta. Tani mund të them se ndihem i shfajësuar pas shumë vuajtjeve. Askush nuk më besonte se isha i pafajshëm. Të gjithë menduan se e vrava dhe më futën në burg padrejtësisht.
Tre vite të jetës sime i kalova përsëri në burg kur isha i pafajshëm dhe bërtisja por askush nuk më dëgjonte. Ishin vitet më të vështira të jetës sime.
Nuk ka gjë më mizore se të “pagëzohesh” vrasës pa kryer asnjë krim. Ndjeva se po më shkatërrohej nderi dhe dinjiteti dhe nuk mund të bëja asgjë. Fëmijët e mi u mërzitën kur dëgjuan se babai i tyre ishte një vrasës.
Ajo grua ishte shoqja ime, unë jetoja me të dhe nuk kishte se si ta lëndoja. Dua të vazhdoj jetën time dhe të lë pas këtë makth që do të më shënojë përgjithmonë” tha ai për mediat greke.
E masakruar me thikë, zbardhet vrasja e 43-vjeçares pas 9 vitesh! Shpallet i pafajshëm shqiptari