Në Mal të Zi, ndërkohë, një erë jugore me forcë uragani, e shoqëruar me shira, arriti shpejtësinë mbi 190 kilometra në orë.
Meteorologu Dushan Paviçeviç tha për Radion Evropa e Lirë se era më e fortë është regjistruar në Nikshiç, i cili është rreth 55 kilometra larg kryeqytetit.
“Kishte erëra me shpejtësi më të madhe se 140kmh dhe shkulma të erës afro 200khm. Shkulma të forta ka pasur edhe në Podgoricë. Supozohet se ka pasur erëra më të forta, por stacione matëse nuk kemi gjithandej,” tha ai.
Në disa qytete, era ka shkulur pemët, ka prishur çatitë dhe në bregdet ka përmbytur varkat.
Siç raporton portali “Vijesti”, një varkë me vela është përmbytur në Tivat. Dallgët ishin disa metra të larta dhe kalonin muret mbrojtëse prej guri.
Hyrja në qytetin e vjetër të Kotorrit është vërshuar, ndaj janë vendosur pontone metalike. Për shkak të rrugëve të përmbytura dhe pemëve të rrëzuara, lëvizja në vendbanimet e Kotorrit, Dobrota, Risan dhe Perast është e vështirë.
Instituti Hidrometeorologjik paraprakisht shpalli alarmin e kuq, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëroi qytetarët për rreziqe të mundshme nga stuhitë në rrugë dhe në bregdet.
Në orët e mbrëmjes pritet dobësim i reshjeve dhe erës, njofton Instituti.
Trafiku ajror u ndërpre për shkak të stuhisë. Një pjesë e fluturimeve në aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit janë anuluar./REL