Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ofrojnë më shumë ndihmë për luftim të Rusisë, dhe e ka ftuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump që të shkojë në Ukrainë për ta parë shkallën e konfliktit me sytë e tij.
Zelensky ka thënë se ushtarët amerikanë mund të përfshihen potencialisht në një konflikt më të madh evropian me Rusinë, nëse Uashingtoni nuk e rrit ndihmën.
“Nëse Rusia na vret të gjithë neve, ata do t’i sulmojnë vendet e NATO-s dhe ju do t’i dërgoni djemtë dhe vajzat tuaja [për të luftuar],” është cituar të ketë thënë Zelensky në një intervistë për rrjetin NBC, që do të transmetohet të dielën.
Presidenti amerikan, Joe Biden, demokrat, i ka bërë thirrje Kongresit amerikan që ta miratojë një paketë ndihme në vlerë të 106 miliardë dollarëve, dhe një pjesë e këtyre mjeteve është planifikuar të ndahet për Ukrainën.
Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, ka insistuar që do t’i çojë përpara paketat e veta të financimit.
Ky institucion e ka miratuar javën e kaluar një paketë ndihme në vlerë të 14.3 miliardë dollarëve për Izraelin, mirëpo nuk e ka rritur ndihmën për Ukrainën.
Përgjatë intervistës, Zelensky e ka ftuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, republikan, që ta vizitojë Ukrainën dhe ta shohë shkatërrimin që ka lënë mbrapa lufta e nisur nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.
Trump, i cili synon ta fitojë edhe një mandat presidencial më 2024, dhe është kandidat kyç për ta fituar nominimin e partisë së tij, ka qenë kritik i ashpër i ndihmës amerikane për Kievin, dhe ka thënë se do t’i japë fund luftës brenda 24 orëve, nëse zgjidhet./REL
Artikulli i plotë këtu.