Emigrantët që do të shpëtohen në Detin Mesdhe do të strehohen në Shqipëri, ndërsa Italia do të financojë për ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.
Për këtë çështje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënshkroi më 6 nëntor marrëveshjen me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Romë.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha se emigrantët do të zbarkojnë në Shëngjin (në bregdetin e Lezhës), e më pas do të strehohen në disa zona që autoritetet do të vënë në dispozicion.
“Fillimisht flasim për një numër prej 3.000 personash, ndërsa në një vit fluksi emigrator mund të mbërrijë deri në 36.000 persona. Kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera të ndjeshme,” tha Meloni.
Meloni tha se Italia do të mbulojë shpenzimet financiare, ndërsa sqaroi se në Shëngjin do të funksionojë një qendër që do të bëjë regjistrimin dhe verifikimin e emigrantëve, ndërsa foli për disa zona që Shqipëria do të ofrojë.
Mediat italiane raportuan se pas verifikimit, emigrantët do të strehohen në një qendër të posaçme në Gjadër të Lezhës.
Dy kryeministrat deklaruan se marrëveshja ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se e kishin diskutuar mundësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje verën e këtij viti, gjatë vizitës së kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në jug të Shqipërisë.
Në konferencën për mediat u bë e ditur se zbatimi i marrëveshjes pritet të nisë pranverën e vitit të ardhshëm./REL
Artikulli i plotë këtu.