Vazhdon gjyqi në themel për Gërdecin. Katër ish-zyrtarë dhe punonjës dëshmuan ditën e sotme. I pari ishte inxhinieri, Ismet Devolli. Ai tregoi si u vendos kostoja për fishekët dhe debatet.
“Kam punuar në ministrinë e mbrojtjes në periudhën 1966-67. Na thërret sekretari i përgjithshëm në zyrë dhe na tha nxirrni koston e fishekëve, i thashë qe kostot nuk i nxjerrim dot ne. Në grup kisha një inxhinier dhe 2 oficerë dhe nuk kisha eksperiencë për demontimin e municioneve.
Anëtarë kemi qenë në grup, por Kol Lekgjonaj nuk ishte në komision për çmimet e municioneve. Materiali që kam përgatitur nuk përllogarit kostot e demontimit. Ministria e Mbrojtjes përgatiti një strategji për demontimin dhe u ndërtua bordi i demontimit. Ne nuk ishim në gjendje të përcaktonim kostot e shpenzimeve” tha ai.
Financieri Kol Lekgjonaj deklaroi se kishte kundërshtuar çmimet që i ishin referuar. “Kam punuar në shtabin e përgjithshëm të FA. Kryetari me mbiemër Hoxha më tha që jam anëtar i grupit të punës dhe do vendosja çmimet për demontimin. Në mbledhjen e fundit na erdhi një shkresë jo zyrtare që përcaktonte disa çmime të papërfillshme në koncept.
Unë nuk kam rënë dakord për çmimet dhe nuk kam firmosur asnjë shkresë, sepse nuk kishte firmë, vulë, nuk kishte të dhëna se nga cila ndërmarrje vinte. Unë isha te financa, merrja pjesë kryesisht vetëm për mbledhje, e cila ishte e protokolluar. Konkluzionet i nxirrte vetëm uzina e Poliçanit” tha ai.