Zv/ kryeministrja Belinda Balluku deklaroi sot se marrëveshja me Italinë për të marrë emigrantët afrikanë do të kalojë në parlament. Kritikoi gjuhën e segmenteve të caktuara brenda opozitës që e cilësoi raciste në lidhje me termat që kanë përdorur për emigrantët. Tha se Shqipëria solidarizohet me Italinë mike.
“Marrëveshja e firmosur në Romë ka kaluar në qeveri të gjithë procesin e parashikuar dhe do të shkojë në parlament për t’u ratifikuar. Kryeministri e ka bërë të qartë arsyen. Askush nuk duhet të shqetësohet për qëllimin, arsyen dhe kornizën juridike.
Ne jemi një vend përballë që na ndajnë vetëm 70 milje nga Italia dhe e kuptojmë problemin dhe jemi solidarë me një partner strategjik.
Na vjen keq që ka politikanë shqiptarë që për arsye të luftës politike arrijnë që të merren me ngjyrën e lëkurës së emigrantëve. Ne i kemi vuajtur në kurrizin tonë paragjykimet e të tjerëve”.
I pyetur për këtë çështje, si përfaqësues i BE-së në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca tha se vetëm dy ditë më parë e kanë parë tekstin e paktit.
“KE është informuar por jo konsultuar. Ne e kemi marrë tekstin vetëm dy ditë më parë. Konsultimet janë në vijim dhe sipër. Ky është vetëm një hap i parë që duhet të përkthehet në ligj nga të dyja palët dhe këtu do të bëjmë edhe vlerësimin tonë.
Ka detaje që duhen identifikuar. Për momentin është e parakohshme për të dhënë një vlerësim. Dokumentet për momentin kanë vetëm vlerë politike, por jo ligjore.
Në çdo rast BE dhe vendet anëtare mund të bashkëpunojnë me vendet e tjera duke respektuar legjislacionin e BE” tha ai.
Kaosi në Parlament/ BE: Fatkeqësi! Balluku: Berishës s’i shkon njeri në protestë