Në sfondin e gjendjes së popullsisë civile në Rripin e Gazës Gjermania do të shtojë ndihmën humanitare për territoret palestineze edhe me 38 milionë euro. Këtë e komunikoi ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, pas një bisede me kryeministrin palestinez Mohammed Shtaje në Ramallah në Jordanin Perëndimor. Me këtë shtesë ndihma e përgjithshme e Gjermanisë lëvruar këtë vit për territoret palestineze arrin në mbi 160 milionë euro.
“Çdo jetë është e njësoj e çmuar. Gjithkush në Izrael apo në Palestinë ka të drejtë të jetojë në paqe e siguri”, theksoi Baerbock. Një hap i parë i rëndësishëm për njerëzit në Gazë janë pauzat humanitare. “Këto duhet të zgjerohen edhe më tej”, kërkoi Baerbock. Gjithashtu duhet t’u jepet siguri furnizimi spitaleve në veri të Rripit të Gazës.
Të shtunën në mbrëmje (11.11.2023) ministrja e Jashtme gjermane pati takime edhe me homologun e saj izraelit Eli Cohen dhe drejtuesin e opozitës Jair Lapid në Tel Aviv si edhe një bisedë me politikanin e opozitës Benny Gantz, i cili bën pjesë në kabinetin e krizës të drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanjahu.
Gjatë udhëtimit në Lindjen e Mesme në agjendën e bisedimeve të kryediplomates gjermane Baerbock janë gjendja e pengjeve në duart e Hamasit militant-islamik, situata humanitare e civilëve në Rripin e Gazës si dhe paqja e mundshme në të ardhmen përmes zgjidhjes me dy shtete. /DW