Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kundërshtoi mundësinë që Autoriteti Palestinez i Mahmud Abbas të marrë kontrollin e Rripit të Gazës pas luftës.
“Nuk mund të ketë një autoritet atje nën komandën e dikujt që, më shumë se 30 ditë pas masakrës (7 tetorit), nuk e ka dënuar ende atë. Duhet të ketë diçka tjetër atje. Por në çdo rast, duhet të kemi kontrollin tonë në fushën e sigurisë”, tha kryeministri izraelit në një fjalim televiziv.
“Ne kemi nevojë për kontroll të plotë të sektorit të sigurisë, me aftësinë për të hyrë sa herë që duam të nxjerrim jashtë terroristët që mund të rishfaqen” këmbënguli ai. “Nuk do të ketë asnjë fuqi politike që do t’u mësojë fëmijëve të saj urrejtjen ndaj Izraelit, urrejtjen ndaj izraelitëve” vazhdoi Netanyahu.
Autoriteti Palestinez dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin për mësimdhënie të dhunës dhe urrejtjes në programet e tyre shkollore.
“Të nesërmen Gaza do të çmilitarizohet, nuk do të ketë më kërcënim nga Gaza për Izraelin. Masakra e 7 tetorit vërtetoi përfundimisht se në çdo vend siguria e të cilit nuk kontrollohet nga Izraeli, terrori do të kthehet.
Kjo u konfirmua në Bregun Perëndimor”, tha Netanyahu, duke iu referuar territoreve të pushtuara ku ushtria izraelite ka shumëfishuar operacionet e saj në muajin e kaluar, duke arritur deri në “zemrën” e qyteteve të kontrolluara teorikisht nga Autoriteti Palestinez.