Prej se Izraeli ka nisur sulmet hakmarrëse kundër grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës më 7 tetor, numri i trupave të vegjël, të mbështjellë me qefinë të bardhë e të rrethuar nga britmat e të qarat e të afërmve, ka shkuar duke u rritur.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, janë më shumë se 4.500 fëmijë të vrarë në pak më shumë se një muaj luftë.
“Kishte vetëm dy muaj e gjysmë. Çfarë ka bërë? A ka vrarë? A ka plagosur dikë? A ka rrëmbyer dikë? Ata ishin fëmijë të pafajshëm brenda shtëpisë së tyre”, tha një baba palestinez për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ai humbi katër fëmijët e tij, më të madhin 14 vjeç, dhe gruan, pasi një sulm ajror i Izraelit goditi shtëpinë e tyre në veri të Gazës.
Forca e Mbrojtjes e Izraelit thotë se ka në shënjestër militantët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe akuzon grupin ekstremist për fshehjen e luftëtarëve dhe armëve në zonat e banuara.
Hamasi, i cili kontrollon Gazën, ka nxitur reagimin e ashpër të Izraelit, pasi i pari ka sulmuar territorin e tij, duke vrarë mbi 1.400 veta dhe duke marre pengje.