Në javën e dytë të luftës mes Izraelit dhe palestinezëve të Gazas, gjatë orëve të para të mëngjesit bombat vranë qindra njerëz në pak sekonda.
Një zile telefoni binte vazhdimisht në shtëpinë thuajse të rrënuar të Yasmeen Joudah. Njerëzit po e telefonin për ta ngushëlluar pasi gjithë familja e saj mbeti e vrarë.
E traumatizuar, ajo vrapoi nëpër rrugë për tek shtëpia e prindërve. Gjithçka ishte shkatërruar, familja Joudahs u vra teksa flinin në shtëpinë e tyre 4-katëshe.
Yasmeen e pashpresë, gërmoi se mos gjente njërin prej tyre ende gjallë. Në atë moment pa mbesën e saj 16-muajshe, Melisa.
“Të gjithë ikën. 5 vëllezërit e mi u vranë, mamaja ime, dy tezet, fëmijët e tyre. I dua mbrapsht,” ishin fjalët e dhimbjes së madhe të Yasmeen.
“Ajo është gjithçka që më ka mbetur. Dua që ajo të jetojë,” shprehet Yasmeen për mbesën.
Në total, ajo ka humbur plot 68 të afërm, mes tyre gjithë familjen. Gjithçka i ka mbetur është Melisa, e cila po merr trajtim në spital. Përveç se është paralizuar, ajo rrezikon të marrë infeksion të rëndë për shkak të një copëze metalike që i ka ngelur në trup.
Nëna e Melisës kishte qenë 9-muajshe shtatzënë. Mediat e huaja raportojnë se ajo vdiq në momentin që kishte shkuar për vizitë gjinekologjike.
Melisa tashmë ndodhet bashkë me tezen e saj në Deir el-Balah duke pritur që të kalojnë kufirin e Rahaf për në Egjipt.