Ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar qytetarët e Kavajës që të ngrihen si në vitet ’90, për “çlirimin e Shqipërisë.”
Në një bashkëbisedimi me anëtarët dhe simpatizantët në qytet, Berisha e quajti situatën e ditëve të sotme si një e keqe e madhe që e ka pllakosur Shqipërinë.
“Do ta nis këtë fjalë me një thirrje zemre për çdo qytetar të Kavajës, për çdo qytetar shqiptar, të bëhemi kavajas të vitit 1990.
Të ngrihemi sot siç u ngritën atë vit, djemtë, burrat, por e vërteta edhe nënat, vajzat, motrat e Kavajës, kundër më të egrës diktaturë që kishte njohur Europa.
Ata kishin përballë një parti përbindëshe, por ata kishin idealet e tyre, kishin traditat e shkëlqyera familjare, kishin fisnikërinë e njeriut që nuk shet vlerat e tij. E vërteta është se grupet antikomuniste të Kavajës, e çliruan Kavajën, shumë kohë përpara çdo qyteti të Shqipërisë.
E çliruan Kavajën sepse ata ishin guximtarë, sepse Josif Buda ra për t’u bërë i vdekur dhe skuqi rrugët e këtij qyteti, sepse e shndërruat stadiumin në një fushë gladiatorësh, në një përballje epike me diktaturën mizore.
Sepse ju kavajasit jo vetëm djemtë dhe burrat, por e vërteta është edhe nënat, motrat dhe vajzat, nuk duruat, nuk pranuat të pajtoheshin më tutje me të keqen,” tha ndër të tjera Berisha.