Ish-kryeministri Sali Berisha doli sot në një konferencë për mediat për t’ju përgjigjur Edi Ramës i cili reagoi mbrëmë për herë të parë për hetimet për kompleksin “Partizani” që u privatizua dhe që gjykata arrestoi dhëndrin e Sali Berishës dhe vendosi dy masa sigurie për liderin e opozitës.
Akuzave të Sali Berishës se “destinacioni i klubit Partizani nga terren sportiv në truall ndërtimi është ndryshuar me firmën e Edi Ramës“, kryeministri iu përgjigj mbrëmë në “Repolitix” duke deklaruar se destinacioni i klubit është ndryshuar pas ndryshimit të ligjeve të sportit nga Sali Berisha.
Me firmën e tij, Rama tha se leja është dhënë vetëm për disa karakatina, por pas ndryshimeve ligjore nga Sali Berisha u mundësua ndërtimi i pjesës më të madhe të kullave. Sali Berisha kundërshton këtë version duke deklaruar se ndryshimi i ligjeve nuk i ndryshonte destinacionin truallit dhe se këtë gjë e bëri Edi Rama.
“Rama mashtron trashë për të justifikuar krimin e tij. Ai thotë se e gjithë pjesa tjetër te tenisi, palestra, është leja që ka ardhur pasi është ndryshuar ligji i sportit. Ligji atëherë ishte i qartë, nuk mund të ndërtohet në terrene sportive. Ligji u ndryshua dhe terrenet u ndryshuan, pohon Edi Rama. Këtu, sipas tij, ndryshimin e ka bërë jo për shkak të xhepit, por për faj të ndryshimit të ligjit.
Në këtë rast kemi të bëjmë me një gënjeshtër të bazuar 100 përqind në mashtrim. Ligji për sportin, në asnjë gërmë, as dhe në frymën e tij, nuk ndryshoi destinacionin e terreneve sportive, por mundësoi ndryshimin e pronësisë kur ato ishin të ndërtuara mbi tokë private. Dhe kishte mbi 1000 të tilla, ndoshta 1500.
Ligji ndryshoi me kushtin e prerë ligjor të ruajtjes së destinacionit sportiv. Le t’u referohemi ligjeve për saktësi. Citoj nenin 31, para dhe pas ndryshimeve. Neni 31§2 para ndryshimit thotë: “Objektet sportive jepen me koncesion apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr.7973, datë 26.7.1995 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”.
Çfarë thotë ligji i ndryshuar? Neni 31§2 pas ndryshimit: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, ose në të kundërt, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni”.
Për të gjithë ata që dinë gjuhën shqipe, kuptojmë në fjalinë e parë, ndryshimi u ka mundësuar pronarëve të truallit të qindra terreneve sportive, të mos përjashtohen nga e drejta e privatizimit, dhe të ushtrojnë të drejtën e parablerjes sipas të gjithë ligjeve nga qeveri të majta dhe të djathta.
Në thelb, kjo nuk ishte një e drejtë e re, e krijuar në legjislacionin shqiptar, por ishte thjesht njësim i qëndrimit të ligjit për sportet, me legjislacionin për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili gjithnjë ka njohur dhe rregulluar, të drejtën e parablerjes së pronarëve.
Të gjithë ata që i thonë gjuhës shqipe, gjuhë shqipe dhe jo gjuhë xhepi, ky ligj nuk autorizon dhe nuk lejon ndryshimin e destiacionit, pasi ligjvënësi ka ndarë jo me pikë fjalinë e parë, por me presje dy fjalitë e para, me fjalinë e tretë, ku thuhet se kthimi te pronari apo dhënia me koncesion, bëhet me kusht që të mos ndryshohet destinacioni. Mirëpo me raste të caktuara, xhepi nuk pyet as ligj dhe as gjuhë.
Dhe ky është përsëri rasti i Edi Ramës, i cili edhe pas studimit që bëri me studion zvicerane UrboPlan, nën patronazhin e Shalsit të tij, të dëgjesave me banorët e zonës, në kundërshtim flagrant me ligjin e ndryshuar dhe në përputhje me xhepin e tij, e shpall zonë urbane të gjithë zonën e klubit Partizani.
Dhe tani ai kërkon të fshihet prapa Shalsit. Shtoj këtu se studimi Rama-Shalsi i studios zvicerane UrboPlan, në të cilën zona e madhe që thotë Rama, iu ndryshua destinacioni nga sportive në urbane, përsëri është firmosur nga Sali Berisha, por vetëm në kuadër të miratimit të planit të përgjithshëm rregullues të territorit, firmë e cila pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të nëntorit 2006, ishte thjesht noterizim dhe asnjë lloj tagri për ndryshim” tha Berisha.